Bashkia e Tiranës heq pllakat e trotuareve në bulevard para protestës së studentëve
Para nisjes së ditës së gjashtë të protestës së studentëve në Tiranë, bashkia ka hequr pllakat e trotuareve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si masë parandaluese. Autoritetet thonë se pllakat janë përdorur më herët për të goditur institucionet dhe policinë.

Bashkia e Tiranës hoqi këtë mëngjes pllakat e trotuareve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara nisjes së ditës së gjashtë të protestës së studentëve në kryeqytet.
Sipas vendimit të marrë si masë paraprake, pllakat po largohen për të shmangur përdorimin e tyre si gurë gjatë tubimit. Gjatë protestave të mëparshme, materiale nga trotuaret janë përdorur për të goditur drejt institucioneve dhe forcave të policisë.
Punonjësit e bashkisë dolën herët në mëngjes me mjete të rënda për të hequr pllakat nga segmentet e bulevardit, me synim kufizimin e rrezikut të përshkallëzimit të dhunës gjatë grumbullimit.
Protesta, e nisur nga studentë që kërkojnë kushte më të mira në universitete dhe mundësi më të mira për punësim dhe jetesë, ka hyrë sot në ditën e saj të gjashtë.











