Arlind Qori u drejtohet policëve në protestën e sotme: Mos u vendosni kundër qytetarëve
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, u kërkoi efektivëve të Policisë së Shtetit të përmbahen nga dhuna dhe të mos përballen me qytetarët gjatë protestës së sotme në Tiranë. Ai tha se pakënaqësia e protestuesve është me qeverisjen, jo me policët.

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, u bëri thirrje sot efektivëve të Policisë së Shtetit që janë angazhuar në protestën në Tiranë të shmangin përdorimin e dhunës dhe të mos vendosen përballë qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij në protestë, Qori i kërkoi policëve të reflektojnë si prindër dhe qytetarë, duke theksuar se protestuesit nuk kanë konflikt personal me ta, por kundërshtojnë ata që drejtojnë vendin.
“Ju lutem, mos përdorni dhunë, mos sakrifikoni për jetën e një maskarai. Ky që na qeveris sot dhe ai që na ka qeverisur dje. Populli nuk e ka me ju. Ju jeni thjesht mes popullit dhe atyre që na qeverisin”, u shpreh Qori.
Ai shtoi se, sipas tij, në një revolucion të mirëfilltë, pjesa më e madhe e policisë do të rreshtohej me qytetarët.
“Në një revolucion të hajrit, pjesa më e madhe e policisë bëhet me popullin. Mendoni si prindër dhe qytetarë”, tha Qori.
Mesazhi vjen mes tensioneve dhe përplasjeve të shënuara gjatë protestave në kryeqytet ndërmjet protestuesve dhe forcave të policisë.











