Apeli i zv.ministres Ruseti pas përplasjeve në Tiranë: Mbani fëmijët larg dhunës
Zv.ministrja e Brendshme Anisa Ruseti u bëri thirrje prindërve që të mos lejojnë përfshirjen e të miturve në përplasjet e dhunshme gjatë protestave në Tiranë. Ajo njoftoi se ditët e fundit edhe fëmijë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa theksoi se protestat paqësore janë të garantuara por dhuna duhet shmangur.

Zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, u bëri thirrje prindërve dhe kujdestarëve të martën në Tiranë që të mbajnë fëmijët dhe adoleshentët larg përplasjeve të dhunshme gjatë protestave. Ajo paralajmëroi se ditët e fundit edhe të mitur kanë përfunduar në spitale për trajtim mjekësor.
Sipas saj, 272 persona kanë marrë shërbim mjekësor në këto ditë, mes tyre rreth 169 efektivë policie të lënduar dhe 70 protestues e kalimtarë. Ruseti theksoi se “të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje” dhe nuk mund të përdoren për të mbrojtur askënd.
Zv.ministrja u kërkoi prindërve të dinë se ku ndodhen fëmijët e tyre, me kë qëndrojnë dhe çfarë thirrjesh marrin në rrjetet sociale. Ajo u drejtua edhe organizatorëve të protestave, përfaqësuesve politikë dhe mediave që të shmangin nxitjen e përplasjeve dhe normalizimin e dhunës, duke vënë në plan të parë interesin më të lartë të fëmijës.
Ruseti theksoi se e drejta për protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe se menaxhimi i tubimeve duhet të bazohet në komunikim, ulje tensionesh dhe përdorim force vetëm kur është i domosdoshëm dhe në masën minimale. Ajo shtoi se çdo veprim policor duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional, ndërsa pretendimet për përdorim të tepruar të forcës duhet të shqyrtohen paanshmërisht.
Ajo kërkoi që veprimet e dhunshme të individëve të mos justifikojnë përgjegjësi kolektive ndaj pjesëmarrësve dhe nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së besimit të të rinjve te Policia e Shtetit përmes profesionalizmit, trajtimit të barabartë dhe transparencës. Po ashtu, paralajmëroi për pasojat psikologjike që ekspozimi ndaj dhunës mund të ketë te fëmijët.
Ministria u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim me institucionet, duke theksuar se mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët dhe se asnjë fëmijë nuk duhet të lëndohet në përplasjet në rrugë.











