Ali Ahmeti apelon pas protestës së dhunshme në Tiranë: Zgjidhja vjen me dialog dhe përgjegjësi
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, reagoi për tensionet pas protestës në Tiranë, duke kërkuar maturi nga politika, protestë pa dhunë dhe veprim të përgjegjshëm nga institucionet. Ai theksoi se interesat partiake duhet të lihen mënjanë për të gjetur zgjidhje në të mirë të qytetarëve.

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar për situatën pas protestës së dhunshme në Tiranë, duke u bërë thirrje palëve politike të tregojnë maturi dhe përgjegjësi, e të vënë interesin e përbashkët mbi kalkulimet partiake.
Ai kërkoi që kriza të tejkalohet përmes dialogut dhe vendimmarrjes së matur, duke theksuar se besimi te institucionet dhe funksionimi demokratik nuk duhet të dëmtohen më tej. Ahmeti u adresua edhe ndaj qytetarëve dhe studentëve që protestojnë, duke i inkurajuar të shprehin kërkesat “me dinjitet” dhe të shmangin çdo akt shkatërrimi.
Lidhur me rolin e organeve shtetërore, Ahmeti nënvizoi se institucionet dhe policia duhet të veprojnë me paanshmëri, profesionalizëm dhe respekt për të drejtat themelore, duke penguar përshkallëzimin e tensioneve dhe duke zbatuar ligjin.
“Asnjë formë dhune, nga cilado palë, nuk mund të jetë përgjigje ndaj krizës”, theksoi ai, duke rikujtuar se Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe duhet të dëshmojë në praktikë respekt për demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Ahmeti e përshkroi Shqipërinë si “atdhe të të gjithëve”, duke bërë thirrje për reflektim të gjerë shoqëror dhe për angazhim mbi ndasitë politike, në mënyrë që vendi të kalojë situatën me sa më pak pasoja për qytetarët dhe institucionet.











