Alban Skënderaj reagon për përplasjet në protesta: kërkon reagim profesional nga policia
Këngëtari Alban Skënderaj ka shprehur mbështetje për të rinjtë dhe protestat kundër qeverisë, duke dënuar pamjet e dhunës. Ai u bëri thirrje forcave të rendit të përgjigjen me profesionalizëm dhe në përputhje me rrethanat.

Këngëtari Alban Skënderaj ka reaguar në rrjetet sociale në mbështetje të të rinjve dhe protestave kundër qeverisë, duke shprehur shqetësim për pamjet e dhunshme që u panë gjatë përplasjeve me policinë.
Ai i ka cilësuar imazhet “të dhimbshme” dhe ka theksuar se punonjësit e policisë pritet të jenë të trajnuar për të vepruar në mënyrë profesionale, duke u përshtatur me situatën dhe nevojën.
Skënderaj nënvizon se, edhe kur ka frustrim tek protestuesit, përdorimi i forcës duhet të mbetet profesional dhe proporcional me rrethanat.
“Të dhimbshme këto imazhe! ... Ata supozohet të jenë të trajnuar për të reaguar në mënyrë profesionale, sipas rrethanave dhe nevojës. Situata të tilla do të duhej të ishin totalisht të shmangshme e të panevojshme!”, shkruan ai.
Reagimi i artistit vjen pasi figura të tjera të skenës kanë bërë thirrje për qetësi dhe menaxhim më të kujdesshëm të tubimeve publike.











