Aktivisti Florian Haçkaj: Begaj refuzoi kërkesën time për dorëheqjen e Ramës dhe qeveri tranzitore
Florian Haçkaj thotë se i kërkoi presidentit Bajram Begaj dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe ngritjen e një qeverie tranzitore, por kërkesa u refuzua. Sot në orën 12:00, Begaj pret krerët e komuniteteve fetare.

Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar takime me përfaqësues të shoqërisë civile të përfshirë në protestat e fundit. Aktivisti dhe kreu i organizatës Diaspora of Albania, Florian Haçkaj, deklaroi se është takuar me presidentin para dy ditësh, ku i kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe ngritjen e një qeverie tranzitore. Sipas tij, presidenti nuk e pranoi këtë kërkesë.
“Dorëheqje e menjëhershme e Ramës dhe qeveri tranzitore me afat... këto janë kërkesat e vetme që i kam kërkuar presidentit Begaj para dy ditësh në takim. Fatkeqësisht nuk e bëri,” tha Haçkaj, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
Haçkaj u shpreh se i kërkoi kreut të shtetit të ndërmerrte një rol më aktiv për të “qetësuar popullin”, ndërsa foli edhe për dhunën ndaj protestuesve, që sipas tij përfshin përdorimin e plumbave të gomës dhe lëndime të rënda.
“Ai nuk doli mbi palët, nuk e bëri atë që unë i kërkova, kaq. Çfarë kanë bërë grupet e tjera që janë takuar me të, as nuk e kam idenë dhe as nuk më intereson,” theksoi aktivisti, duke bërë thirrje për vijimin e mbështetjes së protestës.
Në vijim të konsultimeve, presidenti Begaj pritet të takojë sot në orën 12:00 përfaqësuesit e komuniteteve fetare.











