AGSH: 17 incidente ndaj punonjësve të medias në protestat studentore në Tiranë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë thotë se ka dokumentuar të paktën 17 raste dhune, kërcënimesh dhe pengesash ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike gjatë protestave studentore në Tiranë. Shumica e incidenteve lidhen me veprime të raportuara të Policisë së Shtetit.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) njoftoi se gjatë protestave studentore në Tiranë ka dokumentuar të paktën 17 incidente ndaj gazetarëve, operatorëve, fotoreporterëve dhe ekipeve mediatike, përfshirë sulme fizike, lëndime, kërcënime, pengim të raportimit dhe dëmtim të pajisjeve të punës.
Sipas AGSH-së, pjesa më e madhe e rasteve lidhen me veprime të raportuara të Policisë së Shtetit. Dy incidente të tjera janë kryer nga protestues ndaj përfaqësuesve të mediave.
Organizata thekson se në një rast, gazetarët janë penguar nga persona të maskuar dhe të paidentifikuar, në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
AGSH vlerëson si veçanërisht shqetësues faktin që një numër i konsiderueshëm i pengimeve ka ndodhur pikërisht kur gazetarët po dokumentonin veprimet e policisë ndaj protestuesve, përfshirë përdorimin e forcës dhe ndalimin e personave të mitur.
Asociacioni shpreh shqetësim për përshkallëzimin e dhunës dhe intimidimit ndaj punonjësve të medias dhe nënvizon nevojën për garantimin e ushtrimit të lirë të profesionit gjatë mbulimit të protestave.











