AGK njofton nismë për mbështetje psikologjike falas për gazetarët, me mbështetjen e OSBE-së
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do të zgjerojë angazhimin për kujdesin e shëndetit mendor të anëtarëve, duke synuar ofrimin e këshillimit psikologjik pa pagesë në bashkëpunim me OSBE-në dhe partnerë të tjerë. Kryetari Xhemajl Rexha thekson se stresi nga protesta dhe puna përtej orarit po rëndon gazetarët.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) po përgatit një program për ofrimin e ndihmës psikologjike falas për anëtarët e saj, në bashkëpunim me OSBE-në dhe partnerë të tjerë. Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se iniciativa vjen pas një viti e më shumë diskutimesh dhe konferencash mbi shëndetin mendor të gazetarëve në Kosovë.
Rexha theksoi se gazetarët përballen me ngarkesë të lartë emocionale, veçanërisht gjatë raportimeve nga protesta, përfshirë rastet kur është përdorur gaz lotsjellës, si dhe për shkak të punës përtej orarit. Sipas tij, këto kushte ndikojnë në mirëqenien e profesionistëve të medias dhe, si rrjedhojë, te liria e informimit për publikun.
“Është e nevojshme të kërkohet ndihmë profesionale, në mënyrë që gazetarët ta bëjnë punën e tyre,”tha ai, duke shtuar se AGK do të vijojë punën në javët dhe muajt në vijim për ta bërë të mundur këtë shërbim pa pagesë për anëtarët.
Kreu i AGK-së rikujtoi edhe rreziqet me të cilat janë përballur ekipet në terren, veçanërisht gjatë trazirave në veriun e Kosovës në vitin 2023 dhe në protestat e fundit në Prishtinë. Ai nënvizoi se shumë gazetarë, përfshirë edhe reporteret gra dhe ekipet teknike, kanë qenë të ekspozuar ndaj situatave të rrezikshme.
Rexha shtoi se gjendja ekonomike e një pjese të gazetarëve e vështirëson qasjen e tyre te shërbimet e specializuara, ndaj synimi i AGK-së është të ulë stigmën rreth kërkimit të ndihmës dhe të mundësojë konsultime falas me psikologë për anëtarët.
Sipas AGK-së, gjatë vitit 2025 janë shënuar mbi 60 raste të sulmeve ndaj gazetarëve.











