Zjarri te Gjykata e Lartë: ministri Gogu dënon dhunën, PS akuzon Berishën
Flakët prekën ndërtesën e Gjykatës së Lartë në mbrëmje, ndërsa u dëmtua edhe hyrja e Bankës së Shqipërisë. Ministri i Drejtësisë dënoi dhunën dhe PS akuzoi Sali Berishën për nxitje me sulme verbale ndaj gjyqtarëve.

Një zjarr përfshiu mbrëmjen e së hënës godinën e Gjykatës së Lartë në Tiranë, ndërsa, sipas informacioneve të raportuara, u dëmtua edhe hyrja e Bankës së Shqipërisë. Autoritetet konfirmuan se disa zyra në godinë u dogjën pas një sulmi me molotov.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, reagoi ashpër ndaj ngjarjes, duke bërë dallim mes të drejtës për protestë dhe veprimeve të dhunshme.
“Edhe ata që protestojnë, edhe ata që janë të zemëruar me qeverinë, kanë të njëjtën të drejtë për drejtësi. Protesta është një e drejtë. Dhuna nuk është protestë”, tha Gogu.
Ai falënderoi zjarrfikësit për ndërhyrjen, shprehu solidaritet me gjyqtarët dhe stafin e Gjykatës së Lartë dhe njoftoi se Ministria e Drejtësisë është e gatshme të ofrojë mbështetje brenda kompetencave ligjore, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.
“Njerëzit nuk duhet të paguajnë çmimin e dhunës. Dera e drejtësisë duhet të mbetet e hapur për të gjithë”, theksoi ministri.
Reagimi politik
Partia Socialiste reagoi pas ngjarjes, duke akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, se i parapriu dhunës me sulme verbale ndaj gjyqtarëve që caktuan masat e sigurisë për protestuesit.
“Flakët mbi Gjykatën e Lartë i parapriu Sali Berisha, i cili sulmoi gjyqtarët që dhanë masa mbi dhunuesit e ligjit. Nuk ka kthim mbrapa për Shqipërinë”, u shprehën socialistët.











