Udhëzim nga Kryeministria për deputetët e PS: mesazhe qetësuese dhe video vertikale 30–60 sekonda
Zyra e Kryeministrisë u ka dërguar deputetëve të PS një udhëzim për komunikimin publik, me formate të rekomanduara video dhe një skript të gatshëm që bën thirrje për qetësi dhe dialog. Udhëzimi thekson gjuhën përfshirëse dhe shmangien e etiketimeve.

Deputetët e Partisë Socialiste kanë marrë nga zyra e Kryeministrisë një mesazh udhëzues për mënyrën e komunikimit publik, i cili përfshin formate të rekomanduara për video, një skript të përgatitur dhe rregulla bazë për gjuhën e përdorur.
Sipas udhëzimit, videot personale duhet të jenë 30–60 sekonda në format vertikal dhe mund të regjistrohen në ambiente shtëpie apo zyre me kamerë fikse dhe ton të qetë, pa simbole partiake. Po ashtu inkurajohet xhirimi në terren, pranë shkollave, tregjeve ose bizneseve lokale, me fokus te siguria e fëmijëve dhe mbrojtja e bizneseve, si dhe mesazhe të shkurtra së bashku me 2–3 këshilltarë bashkiakë.
U është vënë në dispozicion edhe një skript i sugjeruar me thirrje për qetësi dhe shmangie të dhunës. Mesazhi drejtohet qytetarëve me tone përfshirëse dhe thekson rëndësinë e dialogut.
“E kuptoj se ka shqetësime dhe pakënaqësi dhe çdo zë meriton të dëgjohet. Por asnjë zgjidhje nuk vjen nga dhuna... Jam këtu për t’ju dëgjuar. Le t’i zgjidhim shqetësimet përmes dialogut, jo dhunës. Ta ruajmë qetësinë dhe sigurinë e qytetit tonë.”
Rregullat e komunikimit kërkojnë përdorimin e një gjuhe të qetë dhe gjithëpërfshirëse, shmangien e etiketimeve si “huliganë” dhe “të paguar”, si edhe mospërdorimin e referencave ndaj partive. Udhëzimi thekson se mesazhet duhet të artikulohen në vetën e parë.
Qëllimi i kornizës së re të komunikimit është përcjellja e mesazheve qetësuese dhe orientimi i komunikimit drejt dëgjimit dhe dialogut me qytetarët.











