Tiranë: Lëndohet një protestues i moshuar dhe një polic në bulevard; dy persona të shoqëruar
Përplasje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kanë lënë të lënduar një protestues të moshuar dhe një efektiv policie. Policia u përpoq të shtynte turmën drejt urës së Lanës dhe më pas u tërhoq; dy persona pa maska u shoqëruan.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, gjatë të cilave janë lënduar një protestues i moshuar dhe një polic.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, protestuesi duket të ketë pësuar dëmtim në sy, ndërsa efektivi i policisë rezulton i lënduar në këmbë, duke çaluar.
Për të ulur tensionet, policia është parë teksa përpiqet ta shtyjë turmën drejt urës së Lanës dhe më pas tërhiqet nga zona.
Burime nga vendi bëjnë të ditur se deri tani nuk ka shoqërime të protestuesve të maskuar. Janë shoqëruar vetëm dy persona pa maska, të cilët nuk janë kapur duke kryer ndonjë veprim konkret.
Në një përditësim të veçantë mbi ngjarjen, raportohet se gjithsej 16 protestues janë lënduar, tre prej tyre me dëmtime në sy, ndërsa një person ka humbur ndjenjat.











