Tensione në Tiranë pas protestës: ndjekje në rrugë, makina policie me shpejtësi mes qytetarëve
Përplasjet pas protestës janë shpërndarë në disa zona të kryeqytetit. Raportohen shoqërime, ndjekje në rrugë dhe lëvizje me shpejtësi të mjeteve të policisë.

Në Tiranë, pas protestës, tensionet janë zhvendosur nga zona përballë Kryeministrisë drejt rrugëve dhe lagjeve të qytetit, ku janë raportuar ndjekje dhe përplasje mes efektivëve dhe protestuesve.
Sipas pamjeve dhe dëshmive nga vendi, policë janë parë duke ndjekur e shoqëruar persona që u larguan nga tubimi, ndërsa në disa raste janë sinjalizuar edhe përplasje fizike.
Në qendër të kryeqytetit janë vërejtur gjithashtu individë me rroba civile dhe fytyra të mbuluara, disa me shkopinj në duar, të cilët kanë ndjekur të rinj që po largoheshin nga zona e protestës.
Ndërkohë, mjete të policisë janë lëvizur me shpejtësi në rrugë, në kohë kur në zonë kishte ende qarkullim qytetarësh. Policia po kryen shoqërime në disa pjesë të Tiranës.
Ka pasur edhe raportime dhe denoncime nga pjesëmarrës në tubim se efektivë po përpiqen të gjurmojnë dhe t’u afrohen me automjete protestuesve. Këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht.











