Tensione në disa qytete: xhama të thyer te Posta në Durrës, marshime në Shkodër, Korçë e Elbasan
Protesta të të rinjve u zhvilluan në disa qytete, me akte dëmtimi pronash në Durrës dhe përplasje sporadike në Shkodër e Elbasan. Në Korçë, një mësues iu bashkua thirrjeve për të protestuar paqësisht.

Protesta të të rinjve u mbajtën në disa qytete të vendit, me incidente në Durrës, Shkodër dhe Elbasan, ndërsa në Korçë u kërkua ruajtja e qetësisë. Tubimet u shoqëruan me thirrje kundër qeverisë dhe me momente të ndryshme tensioni.
Në Shkodër, protestuesit u grumbulluan fillimisht para bashkisë dhe më pas u drejtuan te komisariati, ku kërkuan lirimin e të shoqëruarve. Policia liroi pesë persona, mes tyre edhe fëmijë 10-vjeçarë, ndërsa marshimi vijoi me djegie dhe përmbysje kazanësh e thyerje tabelash rrugore.
Në Durrës, një grup të rinjsh dëmtoi xhamat e godinës së Postës Shqiptare. Protestuesit e lidhën veprimin me çështjen e hetimit për të paktën 700 mijë euro, për të cilën akuzohen ish-drejtoresha dhe disa punonjëse. Rreth 50–60 të rinj u panë duke marshuar nga Pallati i Kulturës drejt Mauzoleut të Dëshmorëve e më pas tek godina e Postës, ku u përmbysën edhe disa kosha. Policia ndërhyri me shoqërime.
Gjykata ndërkohë caktoi masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për dy të mitur të arrestuar dy ditë më parë, në vijim të procedimeve për ngjarjet e fundit.
Në Korçë, një grup i vogël marshoi në pedonale me thirrjet “Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”. Protestës iu bashkua mësuesi i gjimnazit “Themistokli Gërmenji”, Leonidha Puqi, i cili u kërkoi të rinjve të shmangin dhunën dhe të vijojnë paqësisht.
Në Elbasan, të rinjtë u hodhën në marshim me thirrje kundër kryeministrit, duke djegur kazanë dhe dëmtuar tabela rrugore. Para bashkisë tensionet ranë, ku protestues dhe efektivë shkëmbyen përqafime dhe bënë një foto të përbashkët, duke i dhënë fund tubimit.











