Spiropali i kërkon Ramës të hapë rrugën e ndryshimit: “Mos e forco mitin e pazëvendësueshmërisë”
Në një letër publike, Elisa Spiropali i bën thirrje Edi Ramës për vendime politike dhe hapje ndaj ndryshimeve brenda PS dhe qeverisjes. Ajo paralajmëron se ndryshimi i imponuar nga jashtë do të jetë më i dhimbshëm.

Elisa Spiropali i është drejtuar me një letër publike kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon të ndërmarrë vendime politike dhe të hapë rrugën për ndryshim brenda Partisë Socialiste dhe qeverisjes. Në mesazhin e saj, ajo thekson se besimi i qytetarëve nuk mund të zëvendësohet nga një shumicë parlamentare dhe paralajmëron se një ndryshim i imponuar nga jashtë do të ishte “më i dhimbshëm”.
Duke iu referuar tensioneve dhe protestave në Tiranë, Spiropali e përshkruan krizën si një tronditje të besimit dhe legjitimitetit, duke kërkuar përgjigje politike, dialog të gjerë dhe masa konkrete për të dëgjuar qytetarët. Ajo nënvizon se dhuna nuk është zgjidhje, por as shuarja e zjarrit nuk mjafton pa adresuar shkaqet.
Spiropali i bën thirrje Ramës të mbledhë strukturat e PS dhe të udhëheqë procesin e ndryshimeve, për të kaluar “nga kultura e individit te kultura e institucionit”, duke shmangur mitin e pazëvendësueshmërisë. Ajo propozon reforma për një sistem zgjedhor që garanton përfaqësim real dhe ndarjen e partisë nga shteti.
Në letër, ajo thekson se korrupsioni nuk luftohet vetëm me organet e drejtësisë, por edhe përmes një modeli ekonomik dhe institucional që favorizon konkurrencën e ndershme. Sipas saj, shteti duhet të matet jo vetëm me investime dhe shifra rritjeje, por me drejtësinë dhe dinjitetin e jetës së përditshme të qytetarëve.
Spiropali e konsideron të domosdoshme hapjen e kanaleve demokratike dhe rritjen e llogaridhënies, duke theksuar se “82 mandatet” janë përgjegjësi për të qeverisur edhe për ata që nuk kanë votuar shumicën. Ajo shton se as rotacioni politik dhe as zgjedhjet e reja nuk duhen parë si tabu, nëse janë pjesë e një zgjidhjeje demokratike.
“Mblidhi strukturat e PS të marrin vendime. Udhëhiqe procesin e ndryshimeve, mos përforco mitin e pazëvendësueshmërisë... Një parti që nuk di të ndryshojë nga brenda, shpejt detyrohet të ndryshojë nga jashtë.”
Letra mbyllet me thirrjen për rikthim të besimit të qytetarëve përmes vendimeve dhe përgjegjësisë politike, duke e vendosur në qendër Shqipërinë dhe dinjitetin e njeriut.











