Salianji akuzon Ramën për përplasjet me policinë: përgjegjës për tensionet, jep dorëheqjen
Ervin Salianji i vuri përgjegjësinë kryeministrit Edi Rama për përplasjet e sotme mes protestuesve dhe policisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Ai bëri thirrje për unitet dhe ndryshim, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Ervin Salianji akuzoi sot kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për përplasjet mes protestuesve dhe policisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Ish-deputeti demokrat deklaroi se qeveria ka vënë përballë njëra-tjetrës dy palë që, sipas tij, ndajnë të njëjtat shqetësime.
Salianji argumentoi se qytetarët e varfër dhe të rinjtë nga njëra anë, si dhe punonjësit e Policisë nga ana tjetër, përballen me probleme të ngjashme dhe nuk duhet të shihen si kundërshtarë.
“Ata nuk janë armiq. Ata kanë të njëjtat shqetësime, të njëjtën pasiguri dhe të njëjtën nevojë për dinjitet,” u shpreh ai.
Sipas tij, përplasja politike dhe sociale është pasojë e menaxhimit të gabuar nga kryeministri, i cili “i vë qytetarët përballë njëri-tjetrit” në vend që t’u japë zgjidhje halleve të tyre.
Ai theksoi se vendi ka nevojë për përgjegjësi dhe jo për përçarje e dhunë, duke bërë thirrje për ndryshim dhe unitet.
Në përfundim të reagimit, Salianji kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës.











