RENEA vendoset në Bulevard mes përplasjeve pranë Kryeministrisë; në terren edhe ujësjellësit me presion
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijojnë pranë Kryeministrisë në Tiranë. RENEA është angazhuar në mbështetje të FNSH dhe kordonëve të rendit, ndërsa raportohet për një aksion të befasishëm ku u shënuan akte dhune ndaj të rinjve.

Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit vijojnë pranë godinës së Kryeministrisë në qendër të Tiranës, duke detyruar strukturat e sigurisë të rrisin masat në terren.
Në mbështetje të kordonëve të policisë, efektivëve të rendit dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), në aksin kryesor të kryeqytetit janë vendosur edhe trupa të Forcave Speciale RENEA.
Forcat speciale, të pajisura me mjete të rënda mbrojtëse, janë pozicionuar pranë autobotëve të ujit me presion dhe po shtrihen në pikat më të nxehta të perimetrit me synim marrjen nën kontroll të situatës.
Në vendngjarje ndodhet edhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Skënder Hita, teksa strukturat operacionale po koordinojnë menaxhimin e rendit gjatë përplasjeve.
Sipas të dhënave nga terreni, forcat efektive kryen një aksion të befasishëm, gjatë të cilit u shënuan akte dhune ndaj të rinjve.











