Reagim i një ish të burgosuri politik: kundër protestave të dhunshme në Shqipëri, kritika për rolin e Kurtit
Një person që vetëidentifikohet si ish i burgosur politik në ish-Jugosllavi ka dalë kundër protestave të dhunshme në Shqipëri, duke paralajmëruar se dhuna nuk sjell ndryshim pozitiv. Ai akuzon Albin Kurtin për nxitje të lëvizjeve që, sipas tij, rrezikojnë të prodhojnë qeverisje më të keqe.

Në një reagim publik, një person që vetëidentifikohet si ish i burgosur politik në ish-Jugosllavi ka kritikuar ashpër protestat e dhunshme që po zhvillohen në Shqipëri, duke i cilësuar të dëmshme dhe të papranueshme.
Ai thotë se rreshtimi me “halabakët dhe shkatërruesit e të mirave materiale publike e private” nuk i nderon shqiptarët dhe se mbështetja për dhunën, edhe kur justifikohet me luftën kundër korrupsionit, sjell pasoja të kundërta.
Autori tërheq një paralelizëm me periudhën para ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes, duke thënë se mbështetja për protesta të dhunshme atëherë i hapi rrugë Albin Kurtit. Sipas tij, rezultati ka qenë rritje e korrupsionit dhe përkeqësim i qeverisjes.
Ai thekson se kritikon çdo pushtet dhe çdo fenomen negativ, por se nuk dëshiron që kritika e tij të shërbejë për të sjellë një alternativë “edhe më të dëmshme”. Sipas tij, politika kërkon parashikim dhe vetëdije, të cilat i sheh si të mungueshme tek disa prej mbështetësve të protestave.
Reagimi i tij akuzon Albin Kurtin se po e nxit dhe e përkrah në forma të ndryshme lëvizjen aktuale, duke paralajmëruar se përdorimi i dhunës në kushte konkurruese demokratike është ogur i keq për qeverisjen që mund të vijë.
“Asnjëherë s’kam gabuar në këto çështje, dhe të jeni të bindur që nuk po gaboj as tani,”
shkruan ai, duke insistuar se përvoja e tij që nga fillimi i viteve ’90 e ka bërë të sigurt në këto vlerësime.











