Qeveria hap dritare në e-Albania për raportimin e dëmeve; 10 ekipe verifikimi në terren
Kryeministri Edi Rama njoftoi se bizneset e vogla të goditura nga protestat e dhunshme do të mund të regjistrojnë dëmet në një dritare të posaçme në e-Albania. Administrata tatimore do të dërgojë 10 grupe për verifikim në kryeqytet.

Qeveria do të mbështesë bizneset e vogla që kanë pësuar dëme gjatë protestave të dhunshme, njoftoi të hënën kryeministri Edi Rama, duke bërë të ditur se raportimi i dëmeve do të kryhet përmes një dritareje të re në platformën e-Albania.
Në një videomesazh, Rama tha se po kryhen verifikime dhe se pas regjistrimit online do të mblidhet një evidencë e plotë e dëmeve. “Po bëjmë verifikime... do të mbledhim një regjistër të të gjitha dëmeve. Ne do t’ju vijmë në ndihmë të gjithëve,” u shpreh ai.
Bizneset e prekura do të duhet të përfshijnë të dhënat e identifikimit, si emri, mbiemri, identiteti dhe NIPT-i, si dhe kontaktet (email dhe numër telefoni). Platforma do të kërkojë edhe të dhëna për sipërfaqen e aktivitetit, kompaninë e sigurimit (nëse ka) dhe një vlerësim paraprak të dëmit.
Për të plotësuar aplikimin do të nevojitet ngarkimi i dokumenteve përkatëse, përfshirë fotografi dhe fatura që dëshmojnë dëmet. Sipas kryeministrit, do të verifikohet edhe gjendja e detyrimeve të biznesit ndaj shtetit.
Rama njoftoi se 10 grupe nga administrata tatimore do të jenë në terren në Tiranë për të mbledhur të dhëna mbi dëmet te bizneset e vogla. “Çdo biznes që është dëmtuar... ka një dritare ku do të mund të regjistrojë dëmin,” tha ai, duke shtuar se qëllimi është kthimi i “gërmadhave të verbërisë” në shembuj force.











