Qeveria hap aplikimin në e-Albania për dëmet nga protestat; verifikime në terren për bizneset e vogla
Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria do të mbështesë bizneset e vogla të dëmtuara gjatë protestave. Në e-Albania është hapur një dritare për deklarimin e dëmeve, ndërsa 10 grupe të Tatimeve po kryejnë verifikime në terren.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të ofrojë ndihmë për të gjitha bizneset e vogla të dëmtuara gjatë protestave, duke hapur në e-Albania një dritare të posaçme për regjistrimin e dëmeve dhe duke angazhuar 10 grupe verifikimi nga administrata tatimore në terren.
Sipas tij, subjektet e prekura do të mund të plotësojnë të dhënat bazë në platformë, përfshirë emrin, mbiemrin, identitetin dhe NIPT-in, si edhe kontaktet si e-mail dhe numrin e telefonit. Do të kërkohet informacion mbi sipërfaqen, kompaninë e sigurimit dhe vlerësimin paraprak të dëmit.
Rama bëri të ditur se dokumentacioni mbështetës do të ngarkohet online, duke përfshirë pamje dhe fatura, ndërsa do të verifikohet edhe marrëdhënia e subjektit me shtetin në lidhje me detyrimet. Pas verifikimeve, do të hartohet një regjistër i plotë i dëmeve për të mundësuar ndërhyrjen e qeverisë.
“Ne do t’ju vijmë në ndihmë të gjithëve… 10 grupe verifikimi nga Tatimet do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat e dëmeve mbi biznesin e vogël në kryeqytet,” tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se e drejta për të protestuar do të respektohet dhe mbrohet, duke vlerësuar zërin e studentëve dhe të rinjve, ndërsa shtoi se nuk do të lejohet rrezikimi i së ardhmes së vendit.











