Protestuesi i moshuar që humbi ndjenjat është jashtë rrezikut, mjeku: gjendje e qëndrueshme
I moshuari që u sëmur gjatë protestës është i vetëdijshëm dhe me parametra të qëndrueshëm. Ai po monitorohet në QSUT dhe po merr trajtim mbështetës.

Një protestues i moshuar që humbi ndjenjat gjatë protestës u dërgua në spital dhe aktualisht është i vetëdijshëm e jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja u konfirmua nga personeli mjekësor i QSUT.
Mjeku i Urgjencës në QSUT, Euglert Karriqi, bëri të ditur se pacienti është pa deficite neurologjike dhe me parametra jetësorë të qëndrueshëm. Sipas tij, i moshuari ndodhet nën monitorim mjekësor, po merr trajtim mbështetës dhe po i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme.
Gjatë përballjes me mjekët, i moshuari është dëgjuar të thotë se familjarët e tij ndodhen jashtë vendit.
“Nuk i kam në Shqipëri, i kam në Athinë”,u shpreh ai.
Sipas të dhënave të bëra publike më herët, protesta ishte shoqëruar me dhunë dhe kishte lënë të lënduar 16 persona, mes tyre tre me dëmtime në sy, ndërsa njëri nga protestuesit kishte humbur ndjenjat.











