Protesta në Francë: Protestues humb dorën nga granatë; përplasje në Nice e Paris
Gjatë protestave në Saint-Étienne, një protestues humbi dorën pasi shpërtheu një granatë që ai e kishte kapur. Përplasje u raportuan edhe në Nice dhe Paris, ku policia përdori gaz lotsjellës.

Në Saint-Étienne, gjatë protestave të së shtunës, një protestues mbeti pa dorë pasi shpërtheu një granatë që ai kishte marrë në dorë, raportuan media franceze. Sipas të dhënave paraprake, bëhej fjalë për një granatë të policisë që eksplodoi pasi u kap nga protestuesi.
Në Nice, prefektura njoftoi se rreth 3 500 persona marshuan në rrugët e qytetit. Autoriteti i përshkroi disa nga pjesëmarrësit si “grupe të veçanta, shumë të lëvizshme dhe armiqësore, të veshura me të zeza dhe maska”.
Në shëtitoren “Promenade des Anglais”, njësitë e policisë për kontrollin e trazirave u përballën me grupe që goditnin me gurë të marrë nga plazhi. Në shënjestër u vu edhe qendra e vëzhgimit me video e Nicës, që monitoron rrjetin e kamerave të sigurisë në qytet.
Në Paris, më shumë se 300 protestues u mblodhën pasditen e vonë në pjesën e poshtme të Champs-Élysées, një zonë ku demonstratat janë të ndaluara për shkak të afërsisë me qendrat qeveritare. Disa prej tyre, shumica të maskuar, ngritën barriera ndërtimi përgjatë disa korsive të bulevardit, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës.
“Qeveria duhet të ndalojë represionin dhe të adresojë menjëherë kërkesat sociale”, deklaroi sindikata, një nga organizatat që bëri thirrje për protestat.











