Protesta mbarëkombëtare në Francë: sindikatat dhe “Jelekverdhët” bashkohen me studentët; përplasje në Lyon
Dhjetëra mijëra qytetarë pritet të dalin sot në rrugët e Francës kundër kostos së jetesës dhe pabarazisë. Policia ka kufizuar marshimet në Paris, ndërsa janë raportuar përplasje të para në Lyon.

Dhjetëra mijëra njerëz pritet të protestojnë këtë të shtunë në të gjithë Francën, ku studentët, sindikatat dhe përfaqësues të lëvizjes së “Jelekëve të Verdhë” bashkojnë forcat kundër çmimeve të larta dhe rënies së modelit social. Demonstrata kryesore në Paris ishte parashikuar të nisë në orën 14:00 nga Place de la République, me drejtim veriun e kryeqytetit.
Lëvizja u përshkallëzua nga protestat e muajit të kaluar në shkolla të mesme në veri të Parisit, ku pakënaqësitë për mungesë mësuesish dhe infrastrukturë të amortizuar u shndërruan në thirrje kombëtare kundër pabarazisë dhe shpenzimeve të dobëta publike. Organizatorët raportojnë më shumë se 600 tubime të planifikuara në të gjithë vendin.
Qyteti i Lyonit pa përplasjet e para, ku policia përdori gaz lotsjellës ndaj dhjetëra të rinjve dhe ndaloi persona të dyshuar për përpjekje për bllokimin e rrugëve. Në Paris, shefi i policisë Patrice Faure ndaloi marshimet pranë Elizesë, zyrës së kryeministrit dhe Champs-Élysées, ndërsa negociatat për një itinerar alternativ nuk sollën marrëveshje.
Presidenti Emmanuel Macron, duke folur nga Brukseli, bëri thirrje për qetësi dhe respekt në prag të protestave.
“E drejta për të protestuar shkon krah për krah me respektin për njerëzit dhe pronën,”theksoi ai.
Ministri i Brendshëm Laurent Nunez tha për France 2 se pritet një pjesëmarrje e konsiderueshme. Një burim policor cituar nga AFP vlerësoi rreth 200,000 demonstrues në shkallë vendi, përfshirë 40,000 në Paris. Nunez njoftoi gjithashtu se policia mund të përdorë granata zhurmuese në raste të “dhunës jashtëzakonisht serioze urbane”, pas një pezullimi të mëparshëm të kësaj mase, i cili erdhi pasi një granatë tymuese policie i dëmtoi rëndë dorën një 15-vjeçari.
Kush janë “Jelekverdhët”?
Lëvizja e “Jelekëve të Verdhë” nisi në vitin 2018 si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburantit dhe u shtri në protesta më të gjera kundër pabarazisë ekonomike, duke sjellë dhjetëra mijëra njerëz në rrugë. Emrin e mori nga jelekët reflektues të detyrueshëm për drejtuesit e automjeteve, të cilët u bënë simbol i demonstratave.











