Policia ndërhyn te “Myslym Shyri”, disa protestues shoqërohen mes përplasjeve në Tiranë
Forcat e rendit ndërhynë mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Myslym Shyri”, ku shoqëruan disa protestues. Gjatë ditës janë regjistruar përplasje, të lënduar nga të dyja palët dhe zjarrvënie ndaj institucioneve, përfshirë Gjykatën e Lartë.

Policia ndërhyri mbrëmjen e 17 tetorit në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, ku shoqëroi disa protestues, ndërsa pjesëmarrësit vijonin të qëndronin të shpërndarë në disa zona të kryeqytetit.
Gjatë gjithë ditës, situata mes protestuesve dhe forcave të rendit ka qenë e tensionuar, me përplasje të forta mes palëve.
Sipas të dhënave, ka pasur të lënduar si nga radhët e protestuesve, ashtu edhe të efektivëve të policisë.
Protestuesit kanë hedhur gurë, kokteje molotovi dhe fishekzjarre në drejtim të policisë, ndërsa forcat e rendit janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, ujë dhe plumba gome.
Gjatë trazirave, është vënë zjarr Gjykatës së Lartë dhe disa institucioneve të tjera.











