Një protestues humbi ndjenjat dhe u dërgua me ambulancë në spital. Më pas, gjatë një avancimi të furgonëve të Policisë, një person mbeti i shtrirë në tokë në gjendje të rëndë dhe po ashtu u transportua me urgjencë. Dy efektivë u prekën nga flakët e një molotovi dhe disa të tjerë u lënduan nga goditjet me gurë.
Pranë Kryeministrisë u dogj një automjet, ndërsa u mor me zjarr edhe muri rrethues i godinës së Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike. Rreth orës 18:40, flakët përfshinë katin e parë të ish-hotel “Dajti”, pas hedhjes së bombolave molotov.
Rreth orës 19:00, tensionet u zhvendosën te Gjykata e Lartë, ku u vu në zjarr kati i parë i godinës dhe më pas mori flakë një automjet i parkuar pranë. Më herët pati përplasje edhe para Ministrisë së Arsimit, ku u hodhën gurë, molotovë dhe fishekzjarrë, ndërsa Policia reagoi me ujë dhe gaz lotsjellës.
Ngjarjet e së shtunës vijnë në vijim të pesë ditëve të protestave që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit.