Përplasje pranë Kryeministrisë: gurë ndaj policisë, thyhet xhami i autobotit; tentativë për të marrë makinë policie
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë u ashpërsuan në segmentin mes Piramidës dhe Kryeministrisë, ku u hodhën gurë drejt efektivëve dhe u thye xhami i një autoboti. Në një moment, disa protestues tentuan të marrin një automjet policie.

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit u intensifikuan mbrëmjen e sotme në bulevardin mes Piramidës dhe godinës së Kryeministrisë, ku situata u përshkallëzua me hedhje gurësh dhe lëvizje të shpejta të kordonëve të policisë.
Sipas skenave të regjistruara në vendngjarje, protestuesit hodhën gurë drejt efektivëve, duke i detyruar ata për disa momente të tërhiqen nga pozicionet e para.
Gjatë përplasjes u dëmtua edhe mjeti i policisë i tipit autobot, ku u thye xhami, ndërsa situata mbeti e tensionuar në segmentin që lidh Piramidën me Kryeministrinë.
Në një moment të veçantë të kaosit, disa persona u panë teksa tentonin të merrnin një automjet policie, përpara se forcat e sigurisë të rivendosnin perimetrin.
Forcat speciale ishin të pranishme në zonë, ndërsa përpjekjet për të kontrolluar turmën dhe për të qetësuar situatën vijuan përgjatë bulevardit.











