Përplasje në Tiranë: molotovë ndaj policisë, ujë dhe gaz si kundërpërgjigje
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protestuesit u rigrupuan dhe hodhën gurë e koktej molotovi ndaj policisë. Forcat e rendit dhe FNSH reaguan me ujë dhe gaz, ndërsa ka të lënduar dhe të shoqëruar.

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, protestuesit janë rigrupuar dhe kanë sulmuar forcat e rendit me gurë dhe koktej molotovi. Policia është përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Më herët, efektivët e policisë dhe FNSH kishin arritur të shtynin protestuesit nga bulevardi, por pas disa minutash ata u kthyen, duke rimarrë terren.
Përplasja mes palëve po zgjat prej disa orësh dhe situata mbetet e tensionuar në zonë.
Sipas informacioneve fillestare, ka disa persona të lënduar dhe një numër protestuesish janë shoqëruar nga policia.
Forcat e rendit vijojnë të përdorin mjetet e kontrollit të turmës për të rivendosur qetësinë.











