PD akuzon qeverinë për përdorim force ndaj studentëve, kërkon tërheqjen e policisë
Partia Demokratike i kërkoi Policisë së Shtetit të mos përballet me studentët dhe të tërhiqet. Deputeti Klevis Balliu akuzoi qeverinë se ka angazhuar RENEA-n në mënyrë të paligjshme dhe foli për dhunë ndaj të rinjve.

Partia Demokratike i bëri thirrje Policisë së Shtetit të tërhiqet nga përballja me studentët, duke e akuzuar qeverinë për përdorim force dhe përfshirje të RENEA-s. Deklarata u dha nga deputeti i PD-së, Klevis Balliu, në një dalje për mediat nga selia e partisë.
Sipas Balliut, zbarkimi i RENEA-s është bërë “me urdhër direkt të Edi Ramës” dhe, sipas tij, bie ndesh me ligjin, pasi këto forca “nuk parashikohen për protesta, por për neutralizimin e elementëve kriminalë”.
Balliu e cilësoi situatën si dhunë ndaj të rinjve dhe studentëve.
“Tërhiquni urgjentisht! Duart larg studentëve,”tha ai, duke i kërkuar policisë të refuzojë çdo urdhër të paligjshëm.
Në deklaratë u tha se, sipas raportimeve mediatike dhe të strukturave të PD-së në terren, janë mbi 20 të plagosur, mes tyre me lëndime të rënda, si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës, plumbave të gomës, shkopinjve të gomës dhe dhunës fizike. Këto pretendime nuk shoqëroheshin me të dhëna zyrtare.
PD deklaroi se është “në krah të studentëve” dhe se kërkesa e tyre për dorëheqjen e kryeministrit është legjitime. Sipas Balliut, përgjigjja e qeverisë ndaj protestave duhet të jetë “përgjegjësia politike” dhe jo përdorimi i forcës.











