Pas reagimit për protestat, Arbana Osmani përballet me valë kritikash për vonesë
Moderatorja Arbana Osmani reagoi për herë të parë në Instagram mbi protestat në Shqipëri, por shumë ndjekës e akuzuan për vonesë. Postimi mori mijëra pëlqime dhe qindra komente, mes tyre kritika dhe disa mbështetje.

Moderatorja Arbana Osmani reagoi për herë të parë të hënën në Instagram mbi protestat që po zhvillohen në Shqipëri, pas disa ditësh heshtjeje, duke shkaktuar një valë reagimesh kritike nga një pjesë e ndjekësve të saj.
Në mesazhin e saj, Osmani shpjegoi se kishte zgjedhur të mos fliste menjëherë. “Kam zgjedhur të hesht këto ditë, për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh”, shkroi ajo, duke theksuar se ngjarjet në vend nuk janë “një reality show” për t’u komentuar me tifozllëk apo për të mbledhur pëlqime.
Ajo u shpreh si nënë e tre fëmijëve e shqetësuar për të rinjtë që, sipas saj, po përballen me dhunë dhe për dëmet e shkaktuara në kryeqytet. Në fund të reagimit, Osmani i drejtoi një mesazh kryeministrit Edi Rama: “Mjaft; respekto popullin tënd, dëgjoje”.
Reagime të përziera online
Menjëherë pas publikimit, shumë komente e kritikuan moderatoren për vonesën e qëndrimit. “Më mirë mos të kishe folur fare!”, shkroi një ndjekëse, ndërsa një tjetër ironizoi: “Po shumë herët reagove, o Bana”. Të tjerë e akuzuan se nuk e njeh nga afër realitetin e shërbimeve publike, ndërsa pati edhe ironi lidhur me karrierën e saj televizive.
Ndër reagimet u shfaq edhe ai i influencerit Johny Dega, i cili i tha Arbanës: “Shumë herët u kujtove, marrë parasysh që populli shqiptar të bëri milionere”. Përkrah kritikave, disa ndjekës shprehën mbështetje për moderatorën dhe mesazhin e saj.
Në momentin e raportimit, postimi kishte mbi 8 mijë pëlqime dhe më shumë se 300 komente, ndërsa komentimi shfaqej i kufizuar.











