Pas përplasjeve në Tiranë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” i kthehet qetësisë
Pas disa orësh përplasje mes protestuesve dhe policisë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është qetësuar, ndërsa ekipet e pastrimit kanë larguar gurët dhe sendet e forta nga rruga. Janë raportuar të lënduar si në radhët e protestuesve ashtu edhe të policisë.

Pas disa orësh përplasje në ditën e pestë të protestave në Tiranë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u kthye në qetësi në mbrëmje, ndërsa rruga pranë Kryeministrisë u mor në dorë nga ekipet e pastrimit.
Shërbimet komunale nisën të largojnë sasitë e mëdha të gurëve të shkëputur nga trotuaret dhe sendet e forta të hedhura gjatë tensioneve. Në terren u panë automjete të vogla transporti të mbushura me gurë dhe materiale të tjera të mbledhura nga bulevardi.
Përplasjet më të ashpra u zhvilluan pranë Kryeministrisë, ku protestues të maskuar hodhën fishekzjarrë, kokteje molotovi dhe gurë në drejtim të efektivëve të policisë.
Policia u kundërpërgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe rikthyer qarkullimin në zonë.
Gjatë tensioneve janë raportuar të lënduar si mes protestuesve, ashtu edhe mes efektivëve, ndërsa orët pasuese u fokusuan në pastrimin e mbetjeve dhe normalizimin e situatës në qendër të Tiranës.











