Pamje nga protesta: Agron Shehaj shtyhet me policinë pranë Skënder Hitës; Balla ironizon Berishën
Në një video të publikuar nga Taulant Balla, Agron Shehaj shihet teksa shtyhet me efektivët e policisë pranë kreut të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Më pas ai shoqërohet nga Erald Kapri, i cili duket se është prekur nga gazi lotsjellës.

Agron Shehaj u përplas me një grup efektivësh policie teksa tentonte t’i afrohej kreut të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë një momenti të protestës në bulevard. Ngjarja u bë publike përmes një videoje të shpërndarë nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Në pamje, Shehaj shihet duke shtyrë me duar kordonin e policisë dhe duke bërë thirrje, ndërsa efektivët e ndalojnë për të mos kaluar.
“More vesh apo jo? Ka drejtësi!”
Balla e shoqëroi videon me një koment ironik ndaj Sali Berishës, duke përmendur edhe një episod të mëparshëm me një tjetër përfaqësues të opozitës.
“Lajm i fundit! Pas hedhjes së Klevisit në Lanë, Saliu i ndërpret Gones pushimet në Amerikë dhe e hedh në bulevard. Celularin e TikTok-ut nuk e lëshon nga dora”, shkroi Balla.
Në një moment tjetër, Agron Shehaj shihet i shoqëruar nga Erald Kapri, i cili duket se është prekur nga gazi lotsjellës dhe pranë tij ndodhet një mjek i ambulancës që i ofron ndihmë.











