OKB-ja në Shqipëri bën thirrje për dialog dhe respekt të të drejtave pas tensioneve në protestë
Zyra e OKB-së në Shqipëri u bëri thirrje palëve për dialog konstruktiv dhe theksoi se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit duhet të mbrohen. Organizata dënoi aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës gjatë protestës në Tiranë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar lidhur me tensionet e shfaqura gjatë një proteste në Tiranë, duke u bërë thirrje palëve për dialog konstruktiv dhe respektim të të drejtave themelore.
Në një deklaratë zyrtare, OKB-ja thekson se “e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit duhet të respektohen dhe të mbrohen”.
Po ashtu, organizata nënvizon se çdo ndërhyrje e forcave të rendit duhet të jetë proporcionale dhe në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.
OKB-ja dënon aktet e dhunës si dhe dëmtimet e pronës publike dhe private, duke theksuar se veprime të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe paqësore.
Thirrja vjen mes debateve për menaxhimin e rendit publik gjatë tubimeve, me organizatën që kërkon ruajtjen e qetësisë dhe kanaleve të komunikimit ndërmjet autoriteteve, protestuesve dhe mediave.











