Ndërhyrje e policisë në xhaminë Et’hem Beu në Tiranë; besimtarët thonë se u përdor gaz lotsjellës
Sipas dëshmive nga vendi, efektivë policie hynë brenda xhamisë Et’hem Beu në momentin e faljes dhe përdorën gaz lotsjellës e spraj, duke ndërprerë ritualin. Besimtarët kërkuan respektimin e institucioneve fetare.

Një ndërhyrje policore është regjistruar në xhaminë “Et’hem Beu” në Tiranë, ku, sipas dëshmive nga vendi, dhjetëra efektivë hynë brenda në kohën kur besimtarët po kryenin namazin.
Besimtarët raportuan se ndaj tyre u përdor gaz lotsjellës dhe spraj, çka çoi në ndërprerjen e faljes. Sipas tyre, veprimet e policisë u zhvilluan brenda ambientit të xhamisë.
Nga të pranishmit u kërkua që Policia e Shtetit të vendosë “një limit” dhe të respektojë institucionet fetare, duke mos ndërhyrë gjatë riteve.
“Sa u thirr ezani dhe po nisnim të faleshim, policia erdhi brenda dhe ushtroi dhunë ndaj besimtarëve me shkopinj gome. Hodhën edhe gaz lotsjellës e spraj,” tha një besimtar në një transmetim live.
Nuk ka informacion zyrtar mbi arsyet e ndërhyrjes apo mbi pasojat e mundshme për të pranishmit në momentin e incidentit.











