Ministri Gogu dënon dhunën te Gjykata e Lartë dhe Banka e Shqipërisë: Protesta po, dhunë jo
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, reagoi pas dëmtimeve në Gjykatën e Lartë dhe te hyrja e Bankës së Shqipërisë gjatë protestave në Tiranë. Ai theksoi se protesta është e drejtë, por dhuna cenon institucionet që u shërbejnë qytetarëve.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, reagoi të dielën mbrëma pas ngjarjeve në Tiranë, ku flakët prekën ndërtesën e Gjykatës së Lartë dhe u dëmtua hyrja e Bankës së Shqipërisë, gjatë një proteste të dhunshme që po vijon prej pesë ditësh.
Në një deklarim në rrjete sociale, Gogu dënoi aktet e dhunës dhe bëri dallim mes së drejtës për të protestuar dhe dëmtimit të institucioneve. Ai theksoi se këto dy institucione janë të pavarura dhe u shërbejnë të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre.
“Protesta është një e drejtë. Dhuna nuk është protestë... kush i vë zjarrin një gjykate, nuk godet qeverinë. Godet diçka që na përket të gjithëve. Të drejtën për drejtësi”, shkroi ai.
Ministri shprehu mbështetje për gjyqtarët dhe stafin e Gjykatës së Lartë dhe u shpreh se Ministria e Drejtësisë është e gatshme të ofrojë asistencë brenda kompetencave ligjore, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.
“Njerëzit nuk duhet të paguajnë çmimin e dhunës. Dera e drejtësisë duhet të mbetet e hapur për të gjithë”, përfundoi Gogu.











