Kosova kthehet në temë kryesore të fushatës në Serbi, pa oferta të reja për dialogun
Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Kosova po përdoret gjerësisht në retorikën elektorale me akuza dhe mesazhe nacionaliste, ndërsa mungojnë propozime konkrete për vijimin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Kosova është rikthyer si temë qendrore e fushatës, kryesisht përmes akuzave politike dhe retorikës nacionaliste, pa zgjidhje konkrete për vazhdimin e dialogut me Prishtinën dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
Sipas analistëve, pushteti po e shfrytëzon çështjen e Kosovës për të dëmtuar mbështetjen ndaj Listës Studentore, rivales kryesore në këto zgjedhje. “Ajo që kemi vërejtur gjatë përcjelljes së fushatës është se Kosovën më së shpeshti e përdor pushteti në fushatën negative kundër studentëve, me pretendimin se ata do ta njohin pavarësinë e Kosovës”, tha Sofija Popovbiq nga European Western Balkans, duke shtuar se synimi është largimi i votuesve me orientim më nacional nga kjo listë.
Qëndrimet e kampit qeverisës dhe të Listës Studentore mbeten të lidhura me Kushtetutën e Serbisë, ndërsa disa parti nacionaliste kërkojnë tërheqjen nga marrëveshjet e Brukselit. Një qasje tjetër paraqitet nga koalicioni opozitar “Serbia Evropiane”, që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Ne kemi dokumente të miratuara në Kuvend dhe duhet të veprojmë në përputhje me to. Duhet të liberalizojmë tregtinë, udhëtimet, arsimin, sportin e kështu me radhë. Për mua kjo është çështje njerëzore, jo çështje shtetësie”, deklaroi Goran Jeshiq nga koalicioni “Serbia Evropiane”.
Votat e serbëve të Kosovës konsiderohen të rëndësishme: më 25 tetor, ata do të votojnë në Rashkë, Vranjë, Kurshumli dhe Tutin.
Qeverinë e ardhshme në Beograd e presin detyrime nga dialogu me Kosovën. Mbetet e hapur pyetja nëse pas zgjedhjeve do të ndryshojë vetëm gjuha politike, apo edhe qasja ndaj Prishtinës.











