Kosova kërkon bisedime me SHBA për blerje helikopterësh; theksohet prioriteti i mbrojtjes ajrore
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se Kosova ka dërguar kërkesë në SHBA për të diskutuar blerjen e helikopterëve për FSK-në, ndërsa fokusi i zhvillimit të kapaciteteve mbetet mbrojtja ajrore. Ai përmendi edhe shtimin e armatimit dhe njësive të reja, si dhe shqetësimet nga prania ushtarake e Serbisë pranë kufirit.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, bëri të ditur se është adresuar te Shtetet e Bashkuara kërkesa për të hapur diskutimet mbi blerjen e helikopterëve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai theksoi se prioritet në fazën e ardhshme të zhvillimit të kapaciteteve është mbrojtja ajrore.
Sipas tij, procedurat për blerjen e helikopterëve do të zhvillohen përmes programit amerikan FMS, me përfshirjen e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA. Maqedonci nënvizoi se FSK-ja tashmë ka prokuruar edhe mjete pa pilot dhe se bashkëpunimi me partnerët amerikanë vazhdon.
“Fokusi ynë në vazhdim do të jetë mbrojtja ajrore... edhe mbështetja ajrore, që nënkupton edhe kjo pjesa e helikopterëve, për të cilën tashmë komandanti i FSK-së ka adresuar kërkesën për SHBA-në,” tha ai.
Ministri listoi blerjet e viteve të fundit, duke përfshirë katër lloje sistemesh antitank, mortaja në disa kalibra, automjete të ndryshme dhe sisteme të artilerisë mobile. Ai tha se po krijohen dhe forcohen njësi të reja, si njësia për operacione speciale dhe ajo për fluturake pa pilot.
Maqedonci vuri në dukje se synimi është që deri në vitin 2028 FSK-ja të jetë e gatshme për mbrojtjen e territorit, ndërsa zhvillimi i mëtejshëm do të vazhdojë me një plan afatgjatë dhe me programin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse që përfshin edhe rezervën vullnetare.
Duke folur për sigurinë, ai e vlerësoi situatën në Kosovë si të qëndrueshme dhe tha se bashkërendimi me partnerët ndërkombëtarë ka krijuar një ambient stabil. Ndërkohë, ai shprehu shqetësim për praninë ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit, duke përmendur 48 baza të përparme operative dhe vendosjen e tri nga katër brigadave në jug të Serbisë, si dhe blerje armatimi të avancuar nga Kina.
“Kosova po bashkëpunon me partnerët për të ndërtuar kapacitetet e saj ushtarake, dhe institucionet janë të vendosura të mbrojnë çdo pjesë të territorit,” theksoi ministri.











