Kongresmeni amerikan Robert Aderholt i bën thirrje qeverisë: Respektoni të drejtat e protestuesve paqësorë
Kongresmeni amerikan Robert Aderholt shprehu shqetësim për tensionet në ditën e pestë të protestave në Shqipëri dhe kërkoi respektimin e shtetit të së drejtës, institucioneve me përgjegjësi dhe të drejtës së qytetarëve për t’u shprehur.

Kongresmeni amerikan Robert Aderholt reagoi për protestat në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për tensionet dhe përshkallëzimin e situatës në ditën e pestë të tubimeve. Ai theksoi se qytetarëve duhet t’u garantohet e drejta për t’u shprehur dhe kërkoi respektimin e shtetit të së drejtës dhe funksionimin me përgjegjësi të institucioneve.
Në thirrjen e tij publike, Aderholt u adresua të gjitha palëve që të shmangin çdo akt dhune dhe të veprojnë me maturi. Sipas tij, qeveria shqiptare duhet të sigurojë se të drejtat e protestuesve paqësorë respektohen.
“Jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, aleate e NATO-s”, u shpreh ai, duke nënvizuar se “populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione të përgjegjshme dhe lirinë për të shprehur zërin e tij”.
Kongresmeni veçoi edhe rolin e brezit të ri, duke theksuar se të rinjtë duhet të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit. “Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zërin e tyre”, citohet Aderholt.
Reagimi i tij vjen në kuadër të përshkallëzimit të protestave, teksa vëmendja mbetet te menaxhimi paqësor i tubimeve dhe garantimi i lirive themelore të qytetarëve.











