Imami i Xhamisë së Madhe në Durrës i dërgon letër të hapur Ramës: Jepni dorëheqjen
Imami i Xhamisë së Madhe në Durrës, Ervin Qylafku, i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar dorëheqjen. Ai thotë se kabineti ka humbur besueshmërinë dhe paralajmëron pasoja për trashëgiminë politike të kryeministrit.

Imami i Xhamisë së Madhe në Durrës, Ervin Qylafku, i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon të reflektojë mbi zhvillimet politike dhe të japë dorëheqjen nga detyra.
Në mesazhin e tij, Qylafku shprehet se një dorëheqje do të shërbente si hap për të ndalur përkeqësimin e situatës dhe për të korrigjuar, sipas tij, pasojat e veprimeve të qeverisë dhe ministrave.
Ai deklaron se kabineti qeveritar ka humbur besueshmërinë dhe legjitimitetin moral përpara qytetarëve, ndërsa paralajmëron se injorimi i kërkesave të publikut do të rëndojë trashëgiminë politike të kryeministrit.
Qylafku thekson se vendi “meriton një të ardhme të çliruar nga korrupsioni dhe dështimet”, duke e konsideruar largimin nga detyra si një hap të nevojshëm për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe rrezikun e përplasjeve mes shqiptarëve.
“Jepni dorëheqjen tani!”, përfundon ai thirrjen e tij publike drejtuar kryeministrit.











