Flakë në katin e parë të Gjykatës së Lartë dhe në një makinë, protesta del jashtë kontrollit
Një pjesë e godinës së Gjykatës së Lartë dhe një automjet pranë saj u përfshinë nga zjarri gjatë protestës së sotme. Zjarrfikësja ndërhyri pas pak minutash për të shmangur përhapjen e flakëve.

Një pjesë e katit të parë të Gjykatës së Lartë u përfshi nga zjarri gjatë protestës së sotme, teksa një automjet i parkuar pranë ndërtesës dhe disa koshë mbeturinash gjithashtu morën flakë. Ngjarja ndodhi teksa tensionet në tubim u përshkallëzuan.
Sipas gazetares Elda Menga, flakët u vunë në një segment të godinës gjyqësore, ndërsa situata në terren u bë e vështirë për shkak të shtimit të agresivitetit nga protestuesit.
Zjarrfikësja mbërriti pas disa minutash dhe ndërhyri për të evituar djegien e plotë të godinës, duke kontrolluar gradualisht vatrat e zjarrit pranë dhe rreth saj.
Raportohet se, përveç ndërtesës, është dëmtuar edhe një makinë e parkuar në afërsi, si dhe koshat e mbeturinave, të cilët u përfshinë nga flakët në kulmin e përplasjes.
Ky episod pason incidentin me zjarr te ish-hotel Dajti, që aktualisht shërben si filial i Bankës së Shqipërisë, duke shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e protestës.











