Dëshmia e Amarildos nga Spitali i Traumës: “Më rrëzuan, më vunë kapuç dhe më lanë në komisariat”
Një i ri i identifikuar si Amarildo ka deklaruar nga Spitali i Traumës se u ndalua dhe u dhunua nga policia teksa ishte kalimtar. Ai thotë se iu vendos kapuç në kokë dhe u la në komisariat me këmbë të gjakosur.

Një i ri i identifikuar si Amarildo ka deklaruar nga Spitali i Traumës në Tiranë se u ndalua dhe u dhunua nga efektivë policie, ndonëse, sipas tij, ishte kalimtar dhe sapo kishte dalë nga banesa.
Sipas rrëfimit të tij, ndaj tij u përdor forcë fizike në zonën e Rrugës së Elbasanit, ku tre persona e rrëzuan në tokë. Ai shton se një prej tyre ishte i veshur civil dhe se gjatë ndalimit iu vendos një kapuç në kokë.
“Po ecja. Nuk kisha asgjë me vete. Më rrahën tek rruga e Elbasanit. Tre vetë më kapën e më rrëzuan në tokë... Vetëm kur më erdhën tre makina. Më përplasën për tokë... Njëri prej tyre ishte i veshur civil. Më vunë dhe një kapuç në kokë.”
I riu tha se pas shoqërimit u dërgua në komisariat, ku u la aty pavarësisht se, siç pretendon, këmba i ishte dëmtuar dhe gjakoste.
“Në komisariat më lanë aty, edhe pse këmba më dilte gjak.”
Dëshmia e tij u dha teksa ndodhej në Spitalin e Traumës. Nuk jepen detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes.











