Bllokohen mbi 1 ton produkte deti të padeklaruara në Kakavijë
Dogana ndaloi një ngarkesë me produkte deti të ngrira, me mbi 1 mijë kg më shumë se deklarimi zyrtar. Në sasi përfshiheshin 700 kg kallamar dhe 336 kg skampi.

Autoritetet doganore bllokuan mbi 1 ton produkte deti të ngrira të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, gjatë një operacioni kontrolli të zhvilluar në bashkëpunim mes Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Degës Doganore Vlorë.
Sipas njoftimit zyrtar, një mjet transporti u selektua dhe u mbajt nën mbikëqyrje nga Zyra e Monitorimit që në momentin e hyrjes në territor, përpara se t’i nënshtrohej kontrollit të ngarkesës.
Gjatë verifikimit rezultoi se mjeti transportonte një sasi më të madhe se deklarimi: rreth 1,000 kg+ produkte deti të ngrira, përfshirë +700 kg kallamar dhe +336 kg skampi.
Pasi sasia e mallit u bllokua, dogana njoftoi se po ndiqen procedurat e mëtejshme ligjore dhe administrative ndaj subjektit përgjegjës, në lidhje me detyrimin doganor të munguar.
Administrata Doganore theksoi angazhimin për luftën kundër kontrabandës, garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e interesave financiare të shtetit.











