Berisha u bën thirrje qytetarëve për mosbindje civile dhe të udhëtojnë drejt Tiranës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u kërkoi demokratëve dhe qytetarëve në rrethe të ndërmarrin mosbindje civile dhe të vijnë në Tiranë. Ai i kërkoi edhe dorëheqjen kryeministrit Edi Rama.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli me një deklaratë publike ku u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve në rrethe për mosbindje civile dhe për t’u drejtuar drejt Tiranës. Thirrja u bë një ditë para një mbledhjeje të paralajmëruar në kryeqytet.
Berisha e përshkroi mosbindjen civile si një mjet mbështetjeje për të rinjtë që, sipas tij, po udhëheqin rezistencën.
“Mos bindje civile është ndihma më e çmuar për studentët luftëtarë, për studentët dhe gjimnazistët, heronj të vërtetë”,tha ai.
Duke iu referuar qeverisë si “regjim i urryer”, ai u kërkoi qytetarëve që kanë mundësi të udhëtojnë drejt kryeqytetit.
“Ndërsa qytetarët që mund të vijnë në Tiranë nesër, të vërshojnë drejt kryeqytetit. Këtu është sheshi ku fitorja do të firmoset nga qytetarët shqiptarë,”deklaroi Berisha.
Në të njëjtën dalje, kryedemokrati i kërkoi kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen.
“Njofto një minutë e më parë dorëheqjen. Jep dorëheqjen, hapi rrugën zgjidhjes së denjë për një vend anëtar në Bashkimin Europian”,u shpreh ai.
Berisha e mbylli thirrjen e tij duke iu kërkuar qytetarëve “të gjithë në këmbë” për, siç tha, “ndëshkimin e merituar” të qeverisë aktuale.











