Berisha publikon foton e një protestuesi të plagosur, pretendon goditje me plumb gome
Kreu i PD, Sali Berisha, publikoi një foto të një të riu të lënduar në fytyrë, duke pretenduar se është goditur me plumb gome nga policia gjatë një proteste. Ai dënoi ashpër ngjarjen dhe kërkoi ndalimin e përdorimit të plumbave ndaj studentëve.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi sot një foto të një protestuesi të ri të lënduar në fytyrë, duke pretenduar se plagosja është shkaktuar nga një plumb gome i përdorur nga policia.
Në imazhin e shpërndarë prej tij, i riu shihet me një plagë në zonën e fytyrës dhe me qepje pas ndërhyrjes mjekësore. Berisha e shoqëroi fotografinë me akuza të rënda ndaj forcave të rendit.
“Vrasës mizor stop plumbave mbi studentët. Plumb në gojë Leonardit, 21 vjeç nga vrasësit e Padrinos! Dënoj me forcën më të madhe këtë krim monstruoz”, shkroi Berisha.
Pretendimet për përdorim të plumbave të gomës nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Nuk jepen detaje të mëtejshme mbi rrethanat e incidentit apo gjendjen shëndetësore të të riut përveç atyre të publikuara nga Berisha.
Ngjarja vjen në kuadër të protestave ku, sipas Berishës, mes pjesëmarrësve ka pasur studentë. Autoritetet nuk kanë reaguar menjëherë lidhur me akuzat.











