Berisha i kërkon dorëheqjen Ramës pas protestave të studentëve: Mos e çoni vendin drejt konfliktit
Kreu i PD, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama për përgjegjësi mbi dhunën policore ndaj studentëve protestues dhe i kërkoi dorëheqje të menjëhershme. Ai paralajmëroi se përndryshe vendi rrezikon përshkallëzim të konfliktit.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat nga selia e PD në Tiranë, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kërkon përshkallëzim të dhunës pas protestave të studentëve dhe i kërkoi dorëheqje urgjente.
Sipas Berishës, protestuesit u përballën me përdorim disproporcional force nga policia, përfshirë plumba gome dhe gaz lotsjellës, duke shkaktuar të plagosur. Ai e përshkroi situatën si “ditën e dhunës dhe terrorit më të egër shtetëror” ndaj të rinjve dhe qytetarëve.
Berisha deklaroi se mosbindja civile u shtri përtej kryeqytetit, duke përmendur qytete si Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora dhe Korça. Ai falënderoi protestuesit për qëndrueshmërinë e tyre.
Kryedemokrati e akuzoi Ramën se po e shmang zgjidhjen politike dhe po e çon vendin drejt përplasjes. “Edi Rama kërkon gjak. Edi Rama kërkon viktima”, u shpreh ai, duke theksuar se dorëheqja është, sipas tij, rruga e vetme për të shmangur konfliktin civil.
Ai i kërkoi kryeministrit të “hapë rrugë” për një zgjidhje të denjë për vendin, duke përsëritur thirrjen për dorëheqje të menjëhershme.











