Avokati Edmond Petraj: SPAK të hetojë organizatorët e protestës së dhunshme në Tiranë
Avokati Edmond Petraj, në një intervistë televizive, kërkoi që SPAK të nisë hetime për organizatorët e një proteste të dhunshme në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen si cënim të rendit kushtetues. Ai dënoi zjarrvënien ndaj godinës së Gjykatës së Lartë.

Avokati Edmond Petraj, i ftuar në një emision informativ, deklaroi se përplasjet në Tiranë nuk përbëjnë një protestë studentore dhe kërkoi që SPAK të nisë menjëherë hetime ndaj organizatorëve dhe personave që, sipas tij, kanë nxitur dhunë dhe akte agresive.
“Këto janë grupe barbare. Struktura e Posaçme duhet të fillojë hetim direkt,” tha Petraj, duke shtuar se edhe disa pedagogë që, sipas tij, janë shfaqur publikisht në mbështetje të situatës, duhet të verifikohen nga organet e drejtësisë.
Ai përmendi gjithashtu drejtues të partive të vogla, duke përfshirë Shehajn, si emra që duhet të merren në shqyrtim hetimor për rolin e tyre të mundshëm në organizimin e protestës. Petraj theksoi se organet ligjzbatuese duhet të identifikojnë dhe ndalojnë çdo organizator të dhunës.
Avokati e cilësoi të paprecedentë zjarrvënien ndaj godinës së Gjykatës së Lartë, duke e konsideruar atë një cenim të rendit kushtetues. “Si mund t’i vihet flaka Gjykatës së Lartë. Ky është një kaos i paprecedentë. Të gjithë të hetohen,” u shpreh ai.
Sipas Petrajt, në protestë kanë vepruar grupe të dhunshme. Ai përdori terma si “vandalë” dhe “huliganë” për të përshkruar pjesëmarrësit përgjegjës për aktet e dhunës, duke këmbëngulur se ngjarja nuk duhet trajtuar si një protestë e zakonshme.











