AMP: Po verifikojmë çdo dyshim për shkelje nga policia gjatë protestave studentore
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha se po monitoron protestat studentore në Tiranë dhe qytete të tjera, duke verifikuar çdo rast të dyshuar shkeljeje nga efektivët. Janë mbledhur pamje nga terreni, mediat dhe rrjetet sociale për analizë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) njoftoi se po verifikon çdo dyshim për shkelje ligjore nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë protestave studentore të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Sipas reagimit zyrtar, punonjës të AMP-së kanë qenë të pranishëm në terren për të evidentuar rastet konkrete, ndërsa janë administruar edhe materiale filmike të transmetuara nga mediat dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale. Këto do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Institucioni bën të ditur se po vepron në bashkëpunim dhe koordinim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, duke theksuar se procesi i verifikimit dhe hetimit zhvillohet në mënyrë të pavarur.
Për rastet ku janë konstatuar të dhëna me elemente të veprave penale, AMP njofton se veprimet procedurale po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
“Agjencia do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse, duke garantuar paanshmërinë, llogaridhënien dhe zbatimin e ligjit, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve,” thuhet në njoftim.











