55 të ndaluar pas protestës së 14 tetorit para Gjykatës Penale të Tiranës
Policia njofton se 55 persona u arrestuan në flagrancë dhe 98 u proceduan penalisht pas protestës së 14 tetorit. Të arrestuarit akuzohen për dhunë ndaj policëve dhe dëmtim pronash; mes tyre edhe të mitur 15 dhe 17 vjeç.

55 persona të arrestuar pas protestës së 14 tetorit pritet të njihen sot me masat e sigurisë në Gjykatën Penale të Tiranës. Sipas Policisë së Shtetit, ata u ndaluan në flagrancë për veprime të dhunshme gjatë tubimit.
Autoritetet bëjnë të ditur se, përveç të arrestuarve, 98 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht në lidhje me të njëjtat ngjarje.
Sipas policisë, protestues të dyshuar kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të rendit, kanë dëmtuar institucione shtetërore, si dhe prona publike e private. Janë raportuar gjithashtu shkatërrime të bankomateve, kamerave të sigurisë dhe automjeteve.
Mes të ndaluarve ka edhe të mitur 15 dhe 17 vjeç, njoftuan autoritetet.
Veprat penale të referuara për ngjarjet e 14 tetorit përfshijnë “Goditjen për shkak të detyrës”, “Prishjen e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkeljen e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhjen e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimin e pronës”, “Shkatërrimin e pronës me zjarr”, “Kundërshtimin e punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimin, mbajtjen, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta”.
Të arrestuarit do të dalin sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.











