24 të lënduar pas protestës së 16 tetorit; MSH: 21‑vjeçari në trajtim, pa rrezik paralize
Ministria e Shëndetësisë njofton se 24 persona morën ndihmë mjekësore pas protestës së 16 tetorit. 21-vjeçari i rrëzuar gjatë ndërhyrjes policore po trajtohet në Spitalin e Traumës dhe nuk ka shenja paralize.

24 persona kanë marrë trajtim mjekësor pas protestës së zhvilluar më 16 tetor 2026, në Spitalin Universitar të Traumës dhe në spitalet rajonale të Vlorës e Lezhës, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Në Spitalin e Traumës u paraqitën 21 të lënduar: 8 efektivë policie, 10 protestues – mes tyre 3 të mitur – si dhe 3 kalimtarë. Dy persona vijojnë të marrin shërbim mjekësor në këtë spital.
Ministria bëri të ditur se 21‑vjeçari i lënduar gjatë protestës, i cili u rrëzua në tokë gjatë ndërhyrjes policore, po trajtohet në Spitalin e Traumës.
“Aktualisht, nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë,”thuhet në njoftim.
Sipas të njëjtit burim, personat e tjerë të trajtuar në Spitalin e Traumës kanë marrë ndihmën e nevojshme dhe janë larguar me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në Spitalin Rajonal të Vlorës janë trajtuar një efektiv policie dhe dy të mitur, kurse në Spitalin Rajonal të Lezhës është trajtuar një e mitur. Të gjithë janë larguar nga spitali pas marrjes së ndihmës mjekësore.











