21 të lënduar te Trauma; 21‑vjeçari para Ministrisë së Arsimit jashtë rrezikut për paralizë
Spitali i Traumës në Tiranë raportoi 21 persona të trajtuar pas protestave studentore. I riu 21‑vjeçar i plagosur para Ministrisë së Arsimit po monitorohet dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Gjatë ditës së djeshme, pas protestave studentore në Tiranë dhe qytete të tjera, në Spitalin Universitar të Traumës u trajtuan 21 persona. Mes tyre përfshihen 8 efektivë policie, 10 protestues — tre të mitur — dhe 3 kalimtarë.
Autoritetet shëndetësore bënë të ditur se dy prej të lënduarve vijojnë të marrin shërbim: një kalimtar në gjendje të qëndrueshme dhe një protestues 21‑vjeçar që po ndiqet nga ekipi i neurokirurgjisë. Sipas mjekëve, aktualisht nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.
Personat e tjerë të lënduar morën ndihmën e nevojshme dhe u larguan nga spitali me këshillat përkatëse, jashtë rrezikut për jetën.
Raste të lënduarish u raportuan edhe në spitale rajonale. Në Vlorë, tre persona morën ndihmë mjekësore — një efektiv policie dhe dy të mitur — dhe më pas u larguan. Në Lezhë, një e mitur u trajtua dhe la spitalin.
AMP: “Po verifikojmë çdo shkelje ligjore nga punonjësit e policisë.”











