16 të lënduar në përplasjet me policinë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë sollën 16 të lënduar, mes tyre disa me dëmtime në sy. Një i moshuar humbi ndjenjat, por sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

16 persona u lënduan gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë këtë të diel në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Mes të dëmtuarve ka raste me plagë në fytyrë dhe në sy, ndërsa një i moshuar humbi ndjenjat dhe u dërgua me urgjencë në spital.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, një protestues i moshuar u pa duke mbajtur syrin me një shami, me gjak në këmishë. Një tjetër protestues i gjakosur në fytyrë mori ndihmën e parë në tokë. Po ashtu, një djalë u lëndua pranë syrit nga goditja e një bombole gazi lotsjellës.
Rasti më i rëndë ishte ai i protestuesit që humbi ndjenjat. Ai mori ndihmën e parë në vend dhe më pas u transportua në spital, ku mjeku i Urgjencës në QSUT, Euglert Karriqi, konfirmoi se pacienti është i vetëdijshëm, pa deficite neurologjike, me parametra të qëndrueshëm dhe nën monitorim mjekësor. I moshuari, i pyetur për familjarët, tha:
“Nuk i kam në Shqipëri, i kam në Athinë.”
Në incidente u raportua edhe një protestuese e lënduar nga spray me piper. Një tjetër i moshuar u rrëzua në tokë dhe humbi vetëdijen, me dyshime se u ndikua nga gazi lotsjellës, ndërsa ambulancat asistuan disa prej të dëmtuarve në vend.
Gjatë tensioneve, policia u përpoq të shtyjë turmën drejt urës së Lanës dhe më pas bëri hapa pas drejt godinës së Kryeministrisë. Një efektiv policie u plagos në këmbë dhe çalonte, ndërsa deri tani janë shoqëruar dy persona pa maska, pa u raportuar veprime të tjera konkrete nga ana e tyre.











