Tepelenë: 44-vjeçari me dënim të mëparshëm për vrasje arrestohet; në banesë i gjejnë armë dhe kokainë
Policia në Tepelenë arrestoi një 44‑vjeçar të dënuar më parë për vrasje, pasi në një banesë që ai përdorte në fshatin Majkosh u gjetën armë dhe lëndë e dyshuar kokainë. Materialet iu referuan Prokurorisë.

Një 44‑vjeçar, i dënuar më parë për vrasje, u arrestua në flagrancë në kuadër të operacionit “Historiku” në Tepelenë, pasi gjatë kontrolleve policore u gjetën armë dhe lëndë e dyshuar narkotike në një banesë që ai përdorte në fshatin Majkosh. I arrestuari është shtetasi S. L., banues në Tiranë.
Sipas Policisë, në banesën në Majkosh u sekuestruan një armë zjarri tip pistoletë, municion luftarak dhe një armë sportive, të mbajtura pa leje. Gjithashtu, u gjet një sasi e lëndës së dyshuar narkotike kokainë.
Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë.
Autoritetet bënë të ditur se kontrollet janë intensifikuar me synim monitorimin e personave me precedentë penalë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Materialet procedurale për rastin iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.











